Home

  • Kosova me potenciale të mëdha turistike - duhet investim dhe promovim


    Kosova ka potenciale të mëdha turistike, por në to ende nuk po investohet aq sa ka nevojë dhe ato ende nuk po promovohen aq sa duhet. Kështu u tha, të premten, në kuadër të konferencës shkencore ndërkombëtare me temë “Trendet në zhvillimiun e turizmit dhe hotelerisë”, që u mbajt në Prishtinë.

    Konferenca e organizuar nga Kolegji Universitar “Pjetër Budi”, me mbështetjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë mblodhi studiues të fushës nga vendi dhe bota, si dhe përfaqësues institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.

    Cuneyd Ustaibo, Zv.ministër i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës foli për përpjekjet që po bëjnë institucionet e vendit për të zhvilluar turtizmin, si një ndër degët e rëndësishme të ekonomisë. Ndërkaq Abaz Hado, Zv.ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve i Shqipërisë solli shifra dhe fakte për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Ai foli edhe për nevojën e bashkëpunimit më të madh institucional në këtë fushë.

    Sofronija Miladinoski, Anëtar i Bordit të Kolegjit “Pjetër Budit” paraqiti një vështrim mbi gjendjen e zhvillimit të turizmit në vendet e rajonit, ndërkaq ligjëruesi në “Pjetër Budi”, Hysen Sogojeva, referoi lidhur me trendet bashkëkohore të zhvillimit të turizmit në Kosovë, duke përmendur kompletimin e bazës ligjore dhe institucionale si një faktor mjaft të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e kësaj fushe me interes.

    Në seancën plenare të paradites, akademikë dhe studiues të turizmit u paraqitën me punime shkencore. Ibish Mazreku nga Kosova referoi për harmonizimin e rregullativës ligjore në përputhje me trendet bashkëkohore në tregun turistik, Zija Zimeri nga Maqedonia për barrierat kufitare që ndikojnë në zhvillimin e turizmit tranzitor në Ballkan, kurse Ilija Iliev nga Bullgaria për kontrollet dhe sanksionet për turizmin. Vjollca Bakiu nga Shqipëria referoi për turizmin alternativ, si domosdoshmëri për një zhvillim të qëndrueshëm, ndërkaq në sesionin e pasdites u referua dhe diskutua për e-Turizmin, produktin e integruar turistik si kusht për zhvillimin e turizmit në regjione, faktorët që ndikojnë në turizmin shqiptar, tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë në fushën e turizmit dhe infrastrukturën turistike në Kosovë.

    Konferenca “Trendet në zhvillimiun e turizmit dhe hotelerisë” u organizua në vazhdën e kontributit shkencor dhe akademik që Kolegji Universitar “Pjetër Budi” jep në fushat, në të cilat edhe ofron edhe studime universitare, si doganë dhe shpedicion, sigurime, turizëm e hoteleri dhe administrim biznesi.

23:23 

Albumi

Anketa

A jane te favorshme kushtet per zhvillimin e biznesit ne Kosove?
PO
JO